Presidenti për Hotin: Do të jemi përkrah njëri-tjetrit, kemi më në fund stabilitet institucional

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se në takimin e sotëm që pati me kryeministrin Avdullah Hoti, e ka uruar atë për marrjen e postit udhëheqës të qeverisë së Kosovës.
Thaçi madje deklaroi se Kosova tanimë është në drejtimin e duhur, nën qeverisjen e re.
“Siç edhe jeni të informuar sapo përfunduam një takim të përbashkët me kryeministrin Avdullah Hoti. E urova dhe përgëzova për zgjedhjen e tij në krye të ekzekutivit, për hapat e ndërmarrë në ditët e para në veçanti të largimit të barrierave për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe hapjen e perspektivë për një mbështetje më të madhe nga ShBA, BE dhe NATO. Tani Kosova është në drejtimin e duhur, diskutuam për hapat që duhet të ndërmerren nga institucionet përkatëse për respektimin e plotë për rekomandimet e IKSHPK-së, sa i përket COVID-19. Besoj se institucionet e vendit dhe vetë ministria e Shëndetësisë do t’i ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm, që t’i kalojmë më lehtë dhe më mirë duke respektuar gjithmonë rekomandimet e IKSHPK-së”, thaThaçi, shkruan Indeksonline.
Ai tha se do të punojë bashkë me kryeministrin, pozitën e opozitën e Kuvendin e Kosovës që të arrihet njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë.
“Sa i përket përgjegjësive institucionale e tha edhe vetë Hoti se kemi Kushtetutën dhe me të janë të përcaktuara përgjegjësitë institucionale. Do të jemi përkrah me njëri-tjetrin dhe do të punojmë me gjithë lidershipin pasi në fund gjithçka vendoset në Kuvend, ne s’jemi në garë me njëri-tjetrin do të ulemi bashkë përballë Serbisë, dhe gara jonë është me Serbinë. Kemi stabilitet më në fund institucional, normalitet në jetën politike dhe për qytetarë në vend është një qartësi sa i përket drejtimit ë vendit. Ardhja e Lajçak dhe hapat konkret të Grenell do të jenë të rëndësishëm në përcaktimin e agjendës edhe të Kosovës edhe të Serbisë, por edhe të angazhimeve ndërkombëtare për vendin”, përfundoi Thaçi./Indeksonline/