Podujevë: Konfirmohen 4 raste të reja me koronavirus, shkon në 11 numri i rasteve aktive

Katër raste të reja me virusin korona janë konfirmuar sot në Podujevë, pas 18 testimeve të bëra sot.
3 rastet pozitive janë raste kontakti të personave që kanë rezultuar pozitivë javë më parë në Podujevë, ndërsa në Dumnicë të Poshtme është një burim i ri i infeksionit.
Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama. Rama ka thënë se 18 persona janë testuar për COVID-19.
“Sot pra kemi konfirmimin për katër rastet të reja me COVID-19 nga Komuna e Podujevës, nga gjithsej 18 testimeve të bëra nga kjo komunë. 3 prej tyre janë raste kontakti të personave që kanë rezultuar pozitivë kohë më parë. 2 raste pozitive i kemi në fshatin Konushec, 1 rast në fshatin Gërdoc dhe të gjithë këtë kanë qenë në vetë-izolim. Ndërsa, rasti i ri është nga fshati Dumnicë e Poshtme, i cili është testuar nga ekipi i terrenit në Prishtinë, por ende s’kemi informata më të hollësishme për këtë rast”, ka thënë Rama.
Epidemiologia Rama ka shtuar se janë bërë edhe pesë ri-testime të personave që kanë rezultuar pozitivë javë më parë, por që të njëjtit sërish kanë rezultuar pozitivë.
“Kemi bërë ri-testimet edhe për pesë persona që kanë qenë të infektuar javë më parë, mirëpo kanë rezultuar prapë pozitivë. Me rastet e reja të konfirmuara sot numri i rasteve aktive ka arritur në 11. Gjendja momentale e të infektuarve është e mirë dhe stabile”, ka thënë Rama.
Më tej, ajo ka shtuar se qysh tani do të dalin sërish për kontrolle, derisa ka apeluar qytetarët që t’u përmbahen rekomandimeve të IKSHPK-së.
“Tani ne veçse po dalim për kontrolle me ekipin dhe kemi marrë të gjitha aktivitetet e nevojshme. Apeloj tek qytetarët që t’i bartin maskat, pasi ato janë shumë të thjeshta për t’u mbajtur edhe në vendet publike, duke përshirë këtu edhe punëtorët dhe pacientët dhe të mos pranohen askund pa maska”, ka thënë Rama.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar të martën 141 raste të reja me koronavirus.
Kjo është shifra më e lartë me të infektuar me COVID-19 brenda një dite në Kosovë, që prej se u regjistruan rastet e para me këtë virus më 13 mars.
IKSHPK po ashtu njofton se janë shëruar edhe pesë pacientë, duke çuar në 968 numrin e të shëruarve nga COVID-19.
Sipas këtyre të dhënave, deri më tani në Kosovë janë regjistruar 1,756 raste, ku prej tyre, 34 pacientë kanë vdekur, e që të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.