Fazliu: Nëse fitojmë këtë ndeshje shpallemi kampion!
Drita doli me një pikë nga udhëtimi i vështirë në kryeqytet te Prishtina, duke luajtur kështu 1-1.
‘Bardhekaltërit’ nga Gjilani barazuan rezultatin në dhjetë minutat e fundit përmes Astrit Fazliut, teksa në fund patën mundësi edhe ta fitonin ndeshjen.
Pas ndeshjes, Fazliu ka thënë se rezultati ishte real.
“Nuk ishte se luajtëm dobët në pjesën e parë, dhe ndoshta nuk u adaptuam me fushën shkaku i barit. Në pjesën e dytë, mund ta fitonim ndeshjen pas atyre instruksioneve, rezultati ndoshta është real”, deklaroi Fazliu në “Super Sport Kosova”.
Sulmuesi i Dritës është i bindur që në rast se triumfojnë ndaj rivalit lokal Gjilani në xhiron e radhës, atëherë me shumë mundësi do të jenë kampioni ri i Kosovës.
“Tashmë jemi larg tri skuadrave dhe ndeshjen me Gjilanin tashmë e kemi vështirë, nëse fitojmë në derbi, 90 përqind jemi kampion”, përfundoi Astrit Fazliu