75 Mall Live Search
10:08 / E Enjte, 16 Korrik 2020 / C E

Dita e madhe për Realin, sot mund të shpallet kampion

Futbolli nuk mungon për asnjë ditë në ekranin e Supersport në këtë verë të ngjeshur me tri kampionatet kryesore europiane, La Liga, Premier Leagua dhe Seria A.

La Liga luan javën e parafundit këtë të enjte, e cila do të luhet e gjitha në një orar pikërisht në 21:00.

Reali Madridi, i cili i ka vendosur tashmë pothuajse të dyja duart te titulli, ka mundësinë ideale për t’u shpallur edhe zyrtarisht kampion i Spanjës për edicionin 2019-2020 nëse fiton sot në sfidën shtëpiake ndaj Villarealit.

Për të fituar kampionatin skuadrës së Zidanes, do t’i mjaftonin edhe dy barazime në dy ndeshjet e fundit, por Benzema me shokë do të kërkojnë të mbyllin llogaritë që sot në sfidën ndaj nëndetses së verdhë.

Po në orën 21:00 në Camp Nou, Barcelona pret Osasusën me sytë se çfarë do të ndodhë në sfidën midis Los Blancos dhe nëndetëses së verdhë.

Atletico e Madridit dhe Sevilla që kanë siguruar edhe matematikisht kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm luajnë dy transferte delikate ndaj dy kundërshtarëve që luftojnë për një vend në Europa League.

Los Colchoneros luan derbin e vogël të Madridit ndaj Getafes, ndërsa andaluzianët udhëtojnë në komunitetin bask për t’u përballur me Real Sociedadin.

Në Serie A e enjtja është dita e Interit që nëse triumfon në transfertën ndaj Spal të vendit të fundit do ta ngushtonte në -6 pikë diferencën me Juventusin e vendit të parë dhe mbi të gjitha skuadra e Conte do të rimerrte vendin e dytë.

Më herët në orën 19:30 për javën e 33-të të Serie A luhet edhe sfida direkte për mbijetesë mes Torinos dhe Genoas.

Në Premier League është dita e Manchester Unitedit, që për të shpresuar deri në fund te një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm duhet patjetër të fitojë në transfertën londineze të orës 21:15 ndaj Crystal Palaces, ndërkohë në orën 19:00 Evertoni i Ancelottit mund t’ia japë goditjen e fundit Aston Villas, që po shkon drejt rënies nga elita e futbollit anglez.