75 Mall Live Search
20:23 / E Shtunë, 18 Korrik 2020 / indeksADMonline

Thaçi: Unë dje isha një luftëtar në shërbim të Kosovës, ndërsa ju më keni dhënë gjithçka!

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka bërë një paraqitje, pas rikthimit të tij nga Haga.

“Dua t’ju shtrëngoj dorën secilit nga ju, t’ju përqafoj të gjithëve dhe t’ju siguroj se do të dal me çdo qelizë time të pastër si loti në fund të këtij rrugëtimi që vazhdon me ju dhe për ju.”

Fjalimi i tij:

Kosova është edhe vizion. Është edhe borxhi që ua kemi fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë.

Atyre që po rriten në këtë vend dhe atyre që do të lindin dhe jetojnë në këtë tokë që deshën të na e mohojnë, tokë të djegur dhe të përgjakur, ku ne të gjithë së bashku kemi detyrimin të ndërtojmë rrugën e bashkëjetesës demokratike dhe multietnike.

Kështu e forcojmë demokracinë, rrisim mirëqenien dhe ndërtojmë urat e paqes së qëndrueshme mes vete dhe fqinjëve tanë.

Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog të civilizuar mes forcave politike, për stabilitet institucional, për qeverisje të mirë dhe unitet qytetar e politik, veçanërisht në dialogun për njohjen e saj përfundimtare nga Serbia dhe nga krejt bota.

Kosova sot duhet ta kultivojë shumëllojshmërinë e mendimit dhe të jetojë me debatin e shëndetshëm mes Qeverisë dhe opozitës.

Por, njëkohësisht duhet t’i flasim botës me një zë dhe të zhvillojmë dialogun me Serbinë me një unitet shembullor çfarë e kishim në Rambuje, në Vjenë dhe në Bruksel.

Të nderuar bashkëqytetarë,

Unë dje isha një luftëtar në shërbim të Kosovës, ndërsa ju më keni dhënë gjithçka.

Më keni besuar gjithçka që mund t’i jepet një njeriu në atdheun e tij, nga populli i tij!

Për ndërtimin e Kosovës së re, Kosovës evropiane, atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.

Përulem me respekt për besimin tuaj!

U jam mirënjohës përgjithmonë!

Unë nuk isha i përkryer, por gjithmonë jam munduar ta bëj më të mirën për atdheun tim dhe për juve.

Dua t’ju shtrëngoj dorën secilit nga ju, t’ju përqafoj të gjithëve dhe t’ju siguroj se do të dal me çdo qelizë time të pastër si loti në fund të këtij rrugëtimi që vazhdon me ju dhe për ju.

Ju faleminderit!