Kastriot Rexha: Ky titull është i veçantë, ky është dallimi me titullin te Feronikeli

Drita dje u shpall kampion i Superligës pas barazimit 2-2 në midis Gjilanit dhe Ballkanit në javën e parafundit.
Kështu, Kastriot Rexha për herë të dytë radhazi fiton titullin e Superligës dhe për të katërtin vit radhazi merr nga një trofe në Kosovë.
Në një prononcim për Indeksonlinen, sulmuesi shtatlartë ka thënë se ky trofe është shumë i veçantë, duke e marrë parasysh rikthimin te Drita dhe lëndimet që e kanë përcjell.
“Ky titull është shumë i veçantë, duke marrë parasysh se rikthimi te Drita në formën më të mirë që kalova dhe lëndimi që pësova por gjithçka ka ecur mirë. Jam shumë i lumtur që për të katërtin vit radhazi fitoj trofe në Kosovë”, ka thënë Rexha.
Ai gjithashtu ka krahasuar titullin e fituar te Feronikeli sezonin e kaluar dhe atë te Drita këtë sezon.
“Edhe vitin e kaluar ka qenë me shumë sukses, mirëpo ky vit është diçka i jashtëzakonshëm pasi karakterizohet me pandemi dhe stërzgjatje. Ky ndoshta ka qenë më i vështiri për shkak të pandemisë”, ka shtuar sulmuesi.
Rexha këtë sukses ia ka dedikuar familjes së tij.
Sulmuesi i Dritës aktualisht është në pozitën e tretë në listën e golashënuesve me 13 gola. /IndeksOnline/