75 Mall Live Search
16:15 / E Enjte, 23 Korrik 2020 / indeksADMonline

Marrëveshjet që u votuan sot në Kuvend ia sjellin Kosovës rreth 50 milionë euro

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar pesë marrëveshjet ndërkombëtare e që Kosovës i sjellin përfitime në vlerën 47 milionë euro, transmeton IndeksOnline.

Me këtë rast, ministrja e Financave Hykmete Bajrami, ka përgëzuar deputetët të cilët votuan pro marrëveshjeve ndërkombëtare financiare.

Sipas Ministres Bajrami, këto pesë marrëveshje do të shtyjnë përpara procesin e rimëkëmbjes ekonomike të vendit dhe do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash miratuan: Projektligjin për ratifikimin e ​Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Evropian “Dogana 2020”, si dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Evropian “Fiskalis 2020”.