75 Mall Live Search
07:31 / E Hënë, 27 Korrik 2020 / indeksADMonline

Situata e pandemisë COVID-19, numri i rasteve aktive arrin në 3 mijë e 86

7 mijë e 137 persona janë infektuar me virusin COVID-19 anembanë Kosovës që nga muaji mars kur edhe u konfirmuan rastet e para.

3 mijë e 86 raste janë aktive me COVID-19, kurse përpos kësaj të shëruar nga ky virus tashmë raportohet të jenë  3 mijë e 874 persona.

Nga të gjitha këto shifra të lartpërmendura padyshim se më shqetësuese është numri i personave që humbën jetën si pasojë e këtij virusi e që është mjaftë i lartë.

Me viktimat e konfirmuara dje numri i të vdekurve nga COVID-19 ka arritur në 177, transmeton Indeksonline.

Duhet përkujtuar se këta persona patën edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndryshe nga IKSHPK është kërkuar të zbatohen rekomandimet e dhëna që nga fillimi i pandemisë si dhe qytetarët t’u mirëmbahen rregullave që kanë të bëjnë me luftimin e këtij virusi.

“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale  të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve”, thuhej nga IKSHPK.

IKSHPK thekson se inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

“Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve”./Indeksonline/