75 Mall Live Search
11:59 / E Mërkurë, 29 Korrik 2020 / indeksADMonline

Kosova do t’i blejë shtatë aparatura PCR për testimin e qytetarëve

Kosova do të rris kapacitetet e testimit të personave të dyshuar për Covid-19.

Kjo është bërë e ditur nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në raportimin e tij në qeverinë e Kosovës.

Ai aty tha se rritja e rasteve me të infektuar ka nisur qysh nga vendimet e qeverisë Kurti për fazën e tretë të hapjes graduale.

“Jemi ballafaquar që në fillim me rritjen e numrit të rasteve me koronavirus. Faza e tretë e hapjes graduale ka nisur me vendimet e ish qeverisë së kaluar”, tha Zemaj.

Duke folur për mobilizimin aktual, Zemaj ripërsëriti se janë 700 shtretër në dispozicion, mirëpo që kapacitetet do të shtohen.

“Kemi mobilizuar edhe repartet tjera infektive në Spitalet Rajonale, që do të thotë se kemi 700 shtretër në dispozicion. Kapacitetet do të shtohen varësisht nga rekomandimet e IKSHPK-së. Kemi një furnizim stabil nga ministria mirëpo edhe nga donacionet”, tha tutje ai.

Po ashtu, Zemaj bëri të ditur se Kosova do të blejë shtatë respiratorë dhe 100 mijë teste për COVID-19.

“MSH ka hapur procesin e blerjes për blerjen e shtatë aparaturave RT PCR që do të vendosen në komunat e Kosovës. Me mjetet nga OBSH, Kosova do të blejë 100 mijë teste”, tha ai.