BKS: Veturat që vijnë nga diaspora në emër të biznesit, paguajnë sigurimin!

Më 29 korrik të këtij viti, u nënshkrua marrëveshja për mbulimin e primit të sigurimit kufitar për bashkatdhetarët dhe të huajt që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Por kjo marrëveshje nuk po vlen edhe për ata bashkatdhetarë të cilët vijnë me vetura e që janë të regjistruara në emër të biznesit të tyre.
Pas lajmit të publikuar në IndeksOnline, se si po paguajnë sigurim bashkatdhetarët, ka ardhur sqarimi nga Byroja Kosovare e Sigurimit.
Sipas zyrtarëve të BKS-së, shitja e polices kufitare që është publikuar në IndeksOnline është kontraktuar nga autoveturë në emër të biznesit/veprimtari ekonomike dhe jo për automjete të udhëtarëve të cilët ekskluzivisht përfitojnë nga kjo marrëveshja e lidhur në mes të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit.
Kujtojmë se në diasporë kemi një numër të madh të bashkatdhetarëve të cilët vijnë në vendlindje me automjete të firmave të tyre./IndeksOnline/