Për një muaj u gjobitën afër 2 mijë qytetarë për mos respektim të masave Anti-Covid

Kosova ka tashmë 6 muaj që po përballet me Pandeminë Covid-19, një virus ky që shpejtë u përhap në mbarë botën. Që ky virus të përhapet sa më ngadalë dhe në masë më të vogël, institucionet kosovare përmes gjobave të ndryshme janë munduar të mbajnë situatën nën kontroll, shkruan IndeksOnline.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinares përmes Inspektoratit Sanitar, ka mbikëqyr zbatimin e masave Anti Covid 19, bazuar në legjislacionin në fuqi dhe akteve tjera nënligjore, sipas vendimeve të nxjerra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes se COVID – 19.
E kjo mbikëqyrje ne zbatim të masave është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe inspektoratet e nivelit qendrorë dhe atij lokal. Ndaj të gjithë shkelësve të masave të vendosura nga qeveria janë shqiptuar gjoba.
Po ashtu inspektorati sanitar i AUV ka lëshuar vendime për izolim dhe urdhëresa për dezinfektim, ku gjatë kësaj periudhe kohore janë kryer inspektime në subjektet afariste hoteliere, operatorëve të biznesit, çerdheve , shkollave , institucioneve arsimore, aeroporteve, pikave kufitare etj. Po ashtu janë lëshuar vendime për izolim për personat që konstatohen se janë të prekur me COVID 19, lëshimin e Vendimeve për personat fizik në kohën që tejkalojnë fazën e izolimit- shërimit (në momentin që vlerësohen si të shëruar) si dhe është bërë mbikëqyrja e procedurave të varrimit për personat që kanë vdekur nga COVID 19.

Ndërsa që nga 26 gushti kur edhe ka hyrë në fuqi Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, në territorin e Republikës së Kosovës, organet kompetente për shqiptimin e masave ndëshkimore, kanë filluar gjobitjen e shkelësve bazuar në ketë ligj.
E gjobat mandatore, Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës i ka shqiptuar në vazhdimësi.
Në një përgjigje dhënë për IndeksOnline nga Zyrtari për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi nga 14 korriku e deri më 23 gusht janë shqiptuar gjithsej 1946 gjoba për persona fizik.
Ndërsa për persona juridik janë shqiptuar 439 gjoba.
Tutje Thaçi në statistikat e treguar për IndeksOnline ka bërë të ditur se gjatë kësaj kohe janë marrë vendime për izolim për 1769 persona, ndërsa janë dhënë vendime për dalje nga izolimi për 835 persona.
Në anën tjetër gjatë kësaj periudhe kohore është bërë mbikëqyrja e 258 procedurave të varrimit.
Ndryshe me ligjin e ri, qytetarët që nuk përfillin vendimet e institucioneve për vendosje të maskës do të gjobiten me 35 euro.
Në anën tjetër personi juridik i cili nuk e zbaton vendimin e Organit Kompetent për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e distancës së përcaktuar në hapësirat në të cilat janë përgjegjës dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro. Në anën tjetër dënimi maksimal nga ky ligj shkon deri në 2 mijë euro për personat që organizojnë aktivitete të ndaluara me vendim të institucioneve përgjegjëse./IndeksOnline/