Bekaj me mesazh emocionues për Prishtinën dhe Plisat

Pas pesë vitesh në portën e Prishtinës, Visar Bekaj do të vesh fanellën e një skuadre tjetër nga një kryeqytet tjetër shqiptar.
Portieri i Kosovës ka nënshkruar kontratë me Tiranën dhe në sezonin e ardhshëm do të garoj në Superligën e Shqipërisë.

Përmes një postimi në Facebook, Bekaj ka falënderuar Prishtinën dhe në veçanti Plisat për emocionet që i kanë dhuruar këto vite sa ishte bardh e blu.
Ky është postimi i Bekajt:
Të nderuar, Pas gjashtë viteve të mrekullueshme, erdhi koha për të lëvizur nga klubi im i zemrës FC Prishtina. Falënderoj menagjmentin e klubit, stafin teknik, bashkëlojtarët dhe posaçërisht tifo grupin ‘Plisat’ për momentet e paharrueshme: sfidat e bukura dhe sukseset e arritura me shumë sakrificë. Ishit dhe mbeteni familja dhe shtëpia ime.
Si portier i ri në FC Ramiz Sadiku, gjithmonë ëndërroja të luaj para Plisave dhe për Plisat. Sa herë që isha i lirë, unë isha me juve në tribunën që do të mbetet gjithmonë në zemrën time.
Këto 5 vite ishin të mrekullueshme. Shpesh më keni thërritur “Zemra e Prishtinës” dhe për këtë ju falënderoj përjetësisht.

Kënaqësi dhe nder të mbrosh ngjyrat e klubit brenda dhe jashtë vendit.
Jam i bindur se kam bërë zgjedhjen e re të duhur, me të cilën marrë me vete kujtimet më të bukura dhe arritjet më të mëdha në karrierën e deritanishme. Më pret sfidë e re, e të cilën pres ta përjetoj me sukseset e radhës.
Vazhdoj rrugëtimin në kryeqytetin tjetër shqiptar, dhe po me të njëjta ngjyrat.
Përjetësisht me Prishtinën dhe Plisat. Ju faleminderit dhe ju dëshiroj fat dhe sukses në të ardhmen, Visar Bekaj!