Kombëtarja e Kosovës i kryen testet në Kukës

Kombëtarja e Kosovës në futboll po bëhet gati për ndeshjen e së enjtes që e zhvillon me Moldavinë, sfidë kjo që luhet në Parma të Italisë.
Trajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti ka thënë se skuadra po bëhet gati derisa ka njoftuar se sot i kanë kryer edhe testet për koronavirus, teste këto që janë bërë në Kukës në laboratorin e licencuar nga UEFA.
“Është një situatë e jashtëzakonshme që asnjëherë nuk janë përballur me të për shkak të kësaj pandemie, por besoj se do t’ja dalim”, ka thënë fillimisht Sahiti për “Zëri.info”, duke njoftuar më pas për testet që i kanë bërë sot.
“Ne sot i kemi kryer testet në Kukës rezultatet e të cilave i presim sonte më vonë ose eventualisht nesër në mëngjes para nisjes për Italia. Ekipi duket mirë, atmosfera e mirë dhe them se me Moldavinë jemi më të kompletuar ndërsa me Greqinë do të shohim. Nesër udhëtojmë drejt Italisë dhe atje na bashkohen pjesa tjetër e futbollistëve që vijnë nga Zvicra, Gjermania e Norvegjia”, ka thënë Sahiti.
Gjithsesi, duhet pranuar se trajneri i Kosovës, Bernard Challandes mund ta ketë kokën e qetë sa i përket ndeshjes së parë që e zhvillon me Moldavinë në Itali, pasi tashmë janë konfirmuar pjesa më e madhe e futbollistëve, hiç Vedat Muriqin që është i lënduar, derisa për ndeshjen me Greqinë që luhet pas tri ditësh në Prishtinë, gjërat duken më të komplikuara.