75 Mall Live Search
22:08 / E Premte, 04 Shtator 2020 / indeksADMonline

Haradinaj-Stublla: Pas marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, fillon një kapitull i ri ndërkombëtar për Kosovën

Kosova ka bërë arritje të madhe në dialogun e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, pas marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Presidentit Donald Trump.

Ministrja e Jashtme Haradinaj-Stublla, e cila ishte pjesë e delegacionit të Kryeministrit Avdullah Hoti, tha se roli i Shtëpisë së Bardhë dhe Presidentit Trump është i pazëvendësueshëm në forcimin e shtetësisë së Kosovës.

Shefja e diplomacisë kosovare falënderoi Emisarin Special të Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell, i cili duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me palën kosovare, pranoi komentet dhe shqetësimet që reflektuan në përmirësimin e kualitetit të marrëveshjes.

“Drejtimi i ri që po merr Kosova dhe Ballkani, me marrëveshjen tonë dypalëshe me SHBA-të, qartëson të ardhmen tonë si shtet i pavarur e sovran, zgjeron mundësitë e prosperitetit ekonomik, dhe ridrejton energjitë në konsolidimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Për Kosovën po fillon një kapitull i ri ndërkombëtar. Urime!”, tha kryediplomatja e Kosovës.