Mospagesa e 300 eurove, punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit, nga e premtja në protesta

Punëtorët teknikë dhe punëtorët e sigurimit nga e premtja, do të nisin me refuzimin e kryerjes së punëve në qendrat spitalore, qendrat mjekësisë familjare dhe ambulanca, në shenjë proteste për mosstimulimin e këtyre punëtorëve me nga 300 euro.
Kështu u bë e dituar pas takimit të Këshillit të përgjithshëm të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës. Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, tha se Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë lëvizur në kërkesën e kësaj sindikate, lidhur me stimulimin e punëtorëve teknikë dhe punëtorët e sigurimit të stimulohen me një pagë prej 300 eurosh, ashtu siç stimulohen mjekët në nivel të Kosovës.
“Të gjithë punëtorët e sektorit privat që kryejnë punë qendra spitalore, qendrat e mjekësisë familjare dhe ambulanca nga e premtja për një orë nuk do të kryen qendrat spitalore, në qendrat mjekësisë familjare dhe ambulanca, nga e premtja, një orë nuk do të kryejnë shërbime, sepse ne konsiderojmë që me vendimin e Qeverisë, më saktë ministrit të Shëndetësisë, pos që jemi diskriminuar si punëtorë, jemi diskriminuar edhe në aspekt njerëzor, sepse në po të njëjtën dhomë ku një pacient i shtrirë me Covid, ku ka qasje mjeku, punëtori i sigurimit dhe ka qasje edhe punëtori i teknik”, tha ai duke shtuar ai se Ministria e Shëndetësisë duhet të kërkojë falje për këtë diskriminim.
“Jemi të vendosur që nga fundi i kësaj jave, të fillojmë veprime më të buta dhe do të shkojmë me ato më të larta. Ne jemi të interesuar që shëndetin e çdo pacienti ta ruajmë, por në rend të parë, kemi ardhur në pozitë që, meqë shteti nuk po ruan shëndetin tonë, atëherë ne jemi të obliguar ta ruajmë shëndetin me aq sa mundemi e sa dimë“, tha ai.
Sipas tij, për këtë protestë është konsultuar me të gjitha qendrat e mjekësisë familjare nëpër komuna dhe kanë përkrahje të gjerë, por kanë vendosur një hapësirë tri ditore për vetëdijesimin e Qeverisë.
Protestat nisin në gjithë QKMF-të në Kosovë, nga ora 13:00 deri në orën 14:00.