Mustafa takohet me Szunyogun, diskutojnë edhe për liberalizimin e vizave

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa priti sot në një takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian, përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në Kosovë, Tomáš SZUNYOG.
Gjatë këtij takimi, Mustafa e njoftoi Szunyogun për zhvillimet politike të fundit, qëndrimin e LDK-së në luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe çështje të tjera me rëndësi për zhvillimin e vendit.
Mustafa u shpreh i kënaqur me marrëveshjen që është arritur në Washington, si një ndër çështjet me rëndësi të Kosovës në raport me BE-në.
Gjatë këtij takimi, kryetari Mustafa ka diskutuar edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin e Kosovës në familjen e vendeve demokratike evropiane.
Po ashtu u diskutua edhe për forcimin e rendit dhe ligjit, për thellimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik.
“Ambasadori Szunyog theksoi se BE-ja do të vazhdojë t’i përkrahë institucionet e Kosovës në procesin e përafrimit me BE-në” /Indeksonline/