20:06 / E Shtunë, 19 Shtator 2020 / indeksADMonline

BBC raporton për aksionin e Policisë së Kosovës, shkruan për rrënimin e kazinove në Karaçevë

Mediumi britanik BBC ka raportuar për aksionin e Policisë së Kosovës në Karaçevë, për mbylljen e kazinove.

“Të paktën 10 oficerë policie janë arrestuar në Kosovë gjatë një operacioni të gjerë për të mbyllur kazinotë e paligjshme. Qindra oficerë morën pjesë në bastisjen në fshatin Karaçevë. Policia tha se ishte operacioni më i madh i këtij lloji i kryer ndonjëherë në Kosovë pas një hetimi një vjeçar”, shkruan mes tjerash BBC, transmeton IndeksOnline.

Jetish Maloku, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, iu ka thënë gazetarëve të BBC se policia kishte arrestuar të paktën 35 persona për aktivitet të lojërave të fatit.

Siç është shprehur Maloku për BBC të paktën 10 prej tyre ishin polici kufitare, për të cilët pretendohej se i kishin lehtësuar rrethanat për kryerjen e veprimtarisë të paligjshme ndërkufitare.

Nga aksioni i mbrëmshëm u shkatërruan 12 kazino, teksa makinat e lojërave të fatit u sekuestruan nga forcat e rendit, bëri me dije policia për BBC.

Në Mars të vitit të kaluar qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt, ndaloi veprimtarinë e lojërave të fatit për 10 vjet, për shkak të lidhjeve të saj me krimin e organizuar.

Projekt-ligji u miratua pas ndodhjes së dy vrasjeve veç-a-veç të personelit të kazinos përbrenda disa ditësh.