75 Mall Live Search
14:05 / E Enjte, 01 Tetor 2020 / indeksADMonline

Nis viti i ri akademik, konviktet e zbrazëta

Ka më shumë se gjysmë viti prej kur qytetarët e Republikës së Kosovës, po ballafaqohen me pandeminë COVID-19, ashtu si edhe në shumë vende të botës.

Virusi corona që u shfaq këtë vit, bëri që të ndryshojë rrjedha e jetës. Vështirësi të shumta, humbje financiare, mbyllje të bizneseve e viktima të shumtë.

1 tetori shënon edhe fillimin e ri akademik, por që këtë herë, atmosfera s’ishte e njëjtë. Madje, si pasojë e pandemisë, konviktet janë të zbrazëta.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, ka thënë për IndekSonlinen se këtë vit s’kanë hapur ende konkurs për pranimin e studentëve.

“Së pari ende s’është marrë ende asnjë vendim për hapjen e Qendrës së Studentëve për banorë të ri. Është një vendim që merret nga nivelet e tjera, nga Ministria e Arsimit dhe IKSHPK-ja. I kam të gjitha informacionet, që ne si qendër jemi të gatshëm, por presim vendimin, çfarëdoqoftë ai ne do ta zbatojmë.

Viti i ri akademik ka nis në UP, por konviktet ende janë pa studentë. Përndryshe në çdo 1 tetor, konviktet kanë qenë plotë”.

Sfishta tha se kanë në dispozicion 4000 shtretër, por sipas vendimit të institucioneve gjegjëse nuk dihet nëse do të zvogëlohet numri i studentëve apo jo.

“Kemi biseduar me nivelet më të larta që janë kompetente, iu kemi dhënë të dhëna, strukturat e dhomave e toaleteve, por që jemi në pritje të një përgjigjeje”.

Kujtojmë që për disa muaj, konviktet u kthyen në karantinë, për të gjithë qytetarët që ktheheshin nga vendët perëndimore. Ata ishin të obliguar të qëndronin të izoluar për 14 ditë, ndërsa jo pak zhvillime ndodhën në këtë qendër, që u komentuan jashtëzakonisht shumë. Një nga to ishte edhe vdekja e të riut nga Gjilani, Agon Musliut.

26-vjeçari ishte hedhur nga kati i pestë i konviktit numër 7-të. Vdekja e të cilit ende mbetet enigmë./Indeksonline