75 Mall Live Search
23:46 / E Martë, 06 Tetor 2020 / indeksADMonline

Tahiri: Raporti për Kosovën i KE potencon reformën e administratës publike

Zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri, ka thënë se raporti i Komisionit Europian vlerëson angazhimin e Qeverisë aktuale në procesin e reformave.

Ai tha se në raport, theksohet se kjo demonstron shtytje në zhvillimin e duhur të reformave dhe arritje në koordinimin e politikave.

Postimi:

Të dashur miq,

Në mars të vitit 2018 u pata emëruar Koordinator i Shtetit për reforma. Shumë ishte diskutuar pozicioni im si Koordinator Nacional. Dy vite pas, Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian që u publikua sot, në kapitullin e parë, tek kriteret politike, potencon reformën e administratës publike. Ndër të tjera vlerëson mbështetjen politike dhe angazhimin e vazhdueshëm në cilësinë e Koordinatorit Nacional për Reforma Shtetërore. Për më tepër, në raport theksohet se me largimin nga kjo pozitë ka munguar një angazhim i tillë politik, e për rrjedhojë vërehet një ngadalësim në procesin e reformave.

Në vazhdim, raporti vlerëson angazhimin e Qeverisë aktuale në procesin e reformave, e në veçanti rolin e Zëvendëskryeministrit të parë. Në raport, theksohet se kjo demonstron shtytje në zhvillimin e duhur të reformave dhe arritje në koordinimin e politikave.