Smalling: Kam luftuar shumë për t’u rikthyer, tani dua të fitoj trofe

Pas dy muajsh negociata të vazhdueshme me Manchester United, Roma ia doli të rikthejë në dispozicion të trajnerit Fonseca mbrojtësin anglez Chris Smalling vetëm në momentet e fundit të merkatos.
Verdhekuqtë arritën një marrëveshje me “djajtë e kuq” të Manchesterit në çastet e fundit të merkatos, teksa një ndikim të madh pati edhe vetë mbrojtësi, që këmbënguli për t’u rikthyer në kryeqytetin italian.
Smalling mbërriti në Romë pasditen e sotme me një fluturim privat nga Manchesteri dhe u prit në aeroport nga disa drejtues të klubit verdhekuq, si dhe një numër prej rreth 30-40 tifozësh, që nuk e fshehën entuziazmin për rikthimin e tij.
“Më në fund jemi sërish së bashku dhe jam gati të jap maksimumin për tifozët. Kam folur me Fonsecën dhe jemi të dy të lumtur. Lumturia është edhe më e madhe për rikthimin, pasi kam këmbëngulur shumë që të ribashkohem me Romën. Të gjithë e dinin dëshirën time dhe ardhja sërish te Roma, ndonëse në çastet e fundit të merkatos, është një frymëmarrje e madhe. Shpresoj që tani të fitojmë edhe trofe bashkë”, u shpreh Chris Smalling.