75 Mall Live Search
13:44 / E Mërkurë, 07 Tetor 2020 / indeksADMonline

Kalon testin e parë Projektkodi civil, miratohet nga Komisioni për legjislacionin

Ka kaluar fazën e parë të miratimit Projektkodi civil i Republikës së Kosovës. Kjo pasi që anëtarët e Komisionit parlamentar për legjislacionin në Kuvendin e Kosovës, pas diskutimeve shtesë sot kanë miratuar në parim atë.

E për këtë vendim të tyre, i ka falënderuar ministri i Drejtësisë Selim Selimi.

Ai ka ftuar edhe deputetët që në seancë kur të dërgohet për miratim, ta bëjnë atë.

Postimi i plotë i tij:

I falënderoj deputetët anëtarë të Komisionit për legjislacionin të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët pas diskutimeve dhe sqarimeve shtesë në mbledhjen e kaluar, sot miratuan në parim Projektkodin civil të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, i ftoj edhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që të miratojnë në lexim të parë Projektkodin civil të Republikës së Kosovës, si produktin më të madh legjislativ dhe më të rëndësishme pas Kushtetutës së Kosovë, në mënyrë që t’i hapim rrugë shqyrtimit dhe avancimit të mëtejmë të tij.

Projektkodi civil i Republikës së Kosovës është dokument që ngërthen në vete elementet e barabarësisë së palëve në raportet juridiko-civile dhe rrjedhimisht u mundëson qytetarëve të vendit qasje më të lehtë në drejtësinë civile.

Miratimi përfundimtar i tij në Kuvendin e Kosovës do të jetë një hap i rëndësishëm në avancimin e legjislacionit të fushës civile në vendin tonë.