75 Mall Live Search
14:00 / E Mërkurë, 07 Tetor 2020 / indeksADMonline

Inspektorati i Arsimit, kërkon masa urgjente ndaj drejtoreshës së shkollës “Naim Frashëri”

Inspektorati i Arsimit, në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, ka kërkuar inicimin e procedurave disiplinore ndaj drejtoreshës së shkollës fillore në Prishtinë, “Naim Frashëri”, me arsyetimin se ajo ka keqmenaxhuar dhe ka sjellë një klimë të papërshtatshme për punë në këtë institucion arsimor.

Kjo kërkesë është pjesë e disa rekomandimeve që Inspektorati i Arsimit i ka dorëzuar në Drejtorinë Komunale të Prishtinës për Arsim, pas inspektimit në shkollën “Naim Frashëri” nga mësimdhënës të shumtë në vazhdimësi po kërkojnë përgjegjësi për sjellje jo korrekte të drejtoreshës së shkollës, zonjës Shqipe Vllasaliu.

Në këtë kërkesë, ndër të tjera thuhet se në bazë të inspektimit rezulton se zonja Vllasaliu “ka krijuar klimë negative dhe konfilkte me mësimdhënësit e shkollës, çka mund të krijojë sipas tyre pasoja në procesin mësimor në këtë shkollë”.

Aty kërkohet që “Drejtoria komunale të trajtojë kërkesat dhe shqetësimet e mësimdhënësve si dhe të Këshillit të arsimtarëve të ankimuar” dhe të njoftojë Inspektoratin për masat e marra në një afat jo më të gjatë se 15 ditë.

Portali ynë edhe më herët ka raportuar për parregullsi dhe ankesa të mësimdhënësve dhe prindërve të kësaj shkolle me menaxhimin e drejtoreshës aktuale. Javën e kaluar dhjetëra prindër të nxënësve që vijojnë mësimin në këtë shkollë, kanë protestuar në oborrin e saj, duke kërkuar përgjegjësi nga drejtoresha dhe drejtoria komunale për sjellje çnjerëzore ndaj njërës nga mësimdhënëset e ciklit të ultë.

Këshilli i prindërve dhe mësimdhënës të kësaj shkolle i kanë thënë Indeks Online se deri tash askush nuk i ka marrë parasysh kërkesat dhe shqetësimet e tyre, derisa thonë se nuk do të ndalen pa u përmbushur kushtet e vijimit të një procesi normal mësimor dhe rikthimit të klimës pozitive, që ka qenë në këtë shkollë para se ta marrë detyrën drejtoresha në fjalë.