75 Mall Live Search
22:18 / E Diele, 18 Tetor 2020 / C E

Daku: Tek Ballkani e kam gjetur veten, nëse Challandes më therret unë jam gati

Mirlind Daku është në formë jetësore me Ballkanin e Therandës. Sulmuesi gjilanas po vazhdon të shënojë ndeshje pas ndeshje në elitën e futbollit kosovar.

Kur kanë kaluar gjashtë javë nga fillimi i edicionit të ri, “bomberi” gjilanas ka realizuar 12 gola me skuadrën që drejtohet nga Ismet Munishi.

Daku që më parë ka luajtur edhe te Llapi në Kosovë, ka thënë se e ka gjetur veten te Ballkani .

“Shpresoj të jemi mirë me shëndet dhe të vazhdojmë me këtë ecuri te Ballkani. Te skuadra e Ballkanit e kam gjetur sinqerisht një ngrohtësi të madh dhe po e shpaguaj besimin që e kanë ndaj meje. Skuadra po më beson”, deklaroi fillimisht Daku në “Arena Sportive”.

“Te Ballkani kam edhe një vit kontratë, ndoshta klubi do ta blej gjithë kartonin tim nga Osijeku. Shpresoj të vazhdoj kështu me punë”, tregoi ai.

I pyetur nëse është i gatshëm për të luajtur për Përfaqësuesen A të Kosovës, Daku tha:

“Unë jam i gatshëm në çdo moment ta jap maksimumin tim për fanellën e Kosovës, vetëm shpresoj se në ndeshjet e ardhshme ta marrë ftesën nga trajneri Bernard Challandes”.

“Shpresoj se edhe Vedat Muriqi të kthehet në formën më të mirë të mundshme pas mungesave të fundit. Nëse duan të më marrin në Përfaqësuesen e A, jam shumë i gatshëm”, përfundoi Mirlind Daku.