Mini-Shengeni/ A duhet të marrë pjesë Hoti në takimin e nesërm me Ramën, Vuçiqin e Zaevin?

Një ditë para takimit virtual në mes të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, atij të Serbisë Aleksander Vuçiq dhe të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mbetet ende diskutabile pjesëmarrja e Kosovës në këtë tryezë.
Ndonëse kryeministri aktual Avdullah Hoti pati qenë kundër idesë së një Mini-Shengeni Ballkanik, ai më 4 shtator në Shtëpinë e Bardh në emër të Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me anë të së cilës Kosova pranon të jetë pjesë e kësaj nisme.
Se a duhet të marrë pjesë apo jo Kosova në një nismë të tillë rajonale, për njohësin e rrethanave politike në vend Ramush Tahiri nuk ka dilema.
Tahiri në një prononcim për IndeksOnline tha se Kosova tashmë ka pranuar këtë marrëveshje dhe si e tillë kjo do t’i ndihmonte tregut dhe konkurrencës së lirë në ekonominë kosovare.
Ai tha se Kosova nuk duhet të mbyllet hermetikisht dhe se po të duam cilësi më të madhe duhet të krijojmë liberalizim të tregut.
“Unë nuk jam përkrahës i medimeve që duken prapë të prapambetura, të mbylljes hermetike të Kosovës dhe të argumenteve që Kosova nuk është e përgatitur për hapje ndaj Shqipërisë dhe Serbisë dhe se na duhet më i mbrojte prodhimet tona me çdo kusht. Kosova në tregun e lirë fiton, fitojnë qytetarët e Kosovës, cilësia e mallit është më e mirë dhe prodhimet tona hyjnë në konkurrencë”, tha Tahiri për IndeksOnline.
Tahiri tutje ka thënë se vendosja e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe ishte e gabuar dhe se prapë do të ishte gabim nëse Kosova tërhiqet e nuk bëhet pjesë e mini-shengenit.
Nëse një gjë e tillë ndodh siç tha Tahiri, atëherë do të ndihmohen vetëm klanet që lidhen me politikën dhe ekonominë.
“Unë e kam konsideruar edhe në atë kohë vendosjen e taksës politike të gabuara dhe tani vlerësoj se nëse Kosova tërhiqet prej Mini-Shengenit është keq, sepse i ndihmon liderëve lokal tonë dhe iu ndihmon klaneve që lidhen me politikën dhe ekonominë, kjo iu ndihmon monopoleve, dhe ato nuk na duhen”, nënvizoj Tahiri.
Pjesëmarrja e Hotit në një takim të tillë sipas tij është e rëndësisë së madhe. Siç tha Tahiri, Hoti si kryeministër do të duhej të ishte në çdo takim ku janë dhe kryeministrat e tjerë.
“Hoti si kryeministër duhet të jetë prezentë kudo që janë kryeministrat tjerë. Është kënaqësi që ai të prezantohet si kryeministër dhe e prezanton shtetin e Kosovës, gjë të cilën e ka bërë dhe nuk duhet të bojkotoj asnjë takim ndërkombëtar sepse vetëm me dalje dhe prezantim ne i përfaqësojmë idetë tona dhe i përfaqësojmë synimet tona”, tha Tahiri.
Siç theksoi Tahiri, Kosova nuk është krijuar për oligarki dhe se shteti duhet të jetë në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve . “Qeveritë shkojnë e vijnë por Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të prezantohet kudo në mënyrë të barabartë dhe të jetë subjekt i barabartë ndërkombëtar. Avdullah Hoti në këtë konferencë e prezanton Kosovën dhe e përfaqëson si kryeministër dinjitoz”, theksoi tutje Tahiri.