75 Mall Live Search
10:44 / E Premte, 30 Tetor 2020 / OSH

Nis periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë vendit për zgjedhjet, në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

KQZ-ja njofton se sot, më 30 tetor, ka nisur periudha e aplikimit për
regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës dhe asaj të Mitrovicës së Veriut. Afati për aplikim përmbyllet, më 7 nëntor.

Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës dhe që u takojnë këtyre dy komunave, mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës.

Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë.

Informacionet e detajuara dhe si të aplikohet për regjistrim janë publikuar në këtë vegzë: https://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/

Të gjithë ata/ato që regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit mund të votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës e cila fillon më 20 nëntor dhe përfundon më 27 nëntor 2020.


Sqarim shtesë: Të gjithë votuesit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit në periudhën e zhvilluar më herët (16 – 23 shkurt) për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar Komune në Podujevë, duhet të aplikojnë sërish për regjistrim dhe vetëm pas regjistrimi do të mund të marrin pjesë në votimin përmes postës.