Rama i akuzon Metën, Berishën e Bashën për mbështetje të akuzave të Dick Martyt

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka gjetur zhvillimet e fundit pasi Gjykata Speciale i konfirmoi aktakuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së, për të sulmuar rivalët e tij politik në Shqipëri, Sali Berishën dhe Ilir Metën dhe Lulzim Bashën.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, Kryeministri Edi Rama ka folur për raportin e ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty mbi krimet që pretendon se i kryen anëtarë të UÇK-së, duke i akuzuar dy kundërshtarët e tij politikë, Ilir Metën e Sali Berishën.
“Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”, ka shkruar Rama në Twitter.
Në këtë postim Rama e ka pyetur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin Ilir Meta se pse kanë votuar pro ndaj këtij raporti që inkriminonte UÇK-në. Po kështu i ka kërkuar llogari edhe liderit të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Bashës: “për sajesën e Shtëpisë së Verdhë”.
Raporti i Martyt është materiali me të cilin është vendosur baza e ngritjes së Dhomave të Specializuara në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.