75 Mall Live Search
12:51 / E Mërkurë, 11 Nëntor 2020 / OSH

Arianit Ahmeti: Udhëzimi i shtetit e hap garën për kryetar, FFK t’i respektojë ligjet dhe statutin

Arianit Ahmeti – ish zëvendëssekretari dhe ish shefi i zyrës ligjore në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) e ka mirëpritur qarkoren e Ministrisë së Sportit, e cila i udhëzon Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) dhe të gjitha federatat sportive, përfshirë FFK-në, që në tre muajt e parë të vitit 2021 t’i mbajnë Kuvendet e Rregullta dhe Zgjedhore.

Ahmeti thotë se qëndrimet e tij të mëhershme, duke kërkuar që FFK t’u nënshtrohet zgjedhjeve në vitin 2020, janë vërtetuar me këtë qarkore udhëzuese që vjen nga Qeveria e Kosovës, respektivisht nga Ministria e Sportit.

Pas kësaj qarkoreje të lëshuar nga Ministria e Sportit, Ahmeti thotë se shtëpia e futbollit nuk e ka më asnjë mundësi t’iu shmanget zgjedhjeve të reja dhe se ky udhëzim i shtetit duhet të respektuar domosdoshmërish nga FFK që t’i ndërpres shkeljet e vazhdueshme ligjore dhe statutore.

Ahmeti thotë se kjo qarkore i hap rrugë atij ta sfidojë Agim Ademin për president të FFK-së dhe ua mundëson të gjithë të interesuarve kandidimin, natyrisht duke i respektuar procedurat.

“Pikërisht këtë e kam kërkuar në nëntor të vitit 2019 sepse kryetari kishte mandatin e vazhdueshëm. Pasi kërkova rregull u shkarkova dhe u dëbova nga puna pasi disa klube filluan ta kërkojnë kandidimin tim për kryetar. Inspektorati i Punës në dy shkallë vërtetoi shkelje kushtetuese, shkelje ligjore dhe akteve normative të FFK-së nga vet FFK-ja në rastin e shkarkimit dhe dëbimit tim nga puna”, thotë Ahmeti për Gazetën Express.

“Tani pothuajse një vit më vonë Ministria e Sportit dhe KOK-u kanë vendosur t’i shpallin zgjedhjet e përgjithshme në federata. Sot me të drejt sportdashësit pyesin: A thua pse u desh të merren këto hapa nga Agim Ademi dhe të destabilizohet FFK, e cila u nda në dysh për herë të parë, në pozitë e opozitë, duke marrë pamje të një organizate politike. U prish atmosfera brenda saj e cila reflektoj te eliminimi i Kombëtares nga gara historike për kualifikim në Evropian. Kjo për shkak se Agim Ademi me kokëfortësi këmbëngulte në shkelje të çdo norme juridike e statutore të FFK-së, Ligjit të Sportit dhe vendimeve të Asamblesë së KOK-ut. Krejt këtë e bëri për ta ruajtur karrigen e të parit të FFK-së për veten e tij. Të gjithë të tjerët i futi në garë për zgjedhje, përpos vetes së tij. Për vete kërkonte mandat të ri me një votëbesim të shpifur e shpikur për t’i ikur garës dhe kandidimit”, u shpreh Ahmeti.

Ahmeti e konfirmon kandidaturën e tij për kryetar, por kërkon nga Ademi t’i hapë rrugë një procesi zgjedhor demokratik duke i respektuar ligjet dhe statutin e FFK-së.

“Kush do të jap përgjegjësi për këto dëme që prej ardhjes së tij. Por, duket si siç erdhi me dinakëri, duke mbledhur nënshkrime e vota në ditë të rënda për FFK-në që e kishte lënë i ndjeri Vokrri, ashtu do të përfundojë. Ademi dhe FFK e kanë braktisur rrugën e legjendës Fadil Vokrri. Kosova u eliminua nga rruga evropiane, rezultatet e fundit janë zhgënjyese dhe nuk e ka më as shkëlqimin e as ambicien e dikurshme kombëtarja. Kurse, brenda garave kampionale dihet gjendja, nuk do koment”, vazhdoi Ahmeti.

“Pas këtij udhëzimi të Ministrisë së Sportit po shihet drita në tunelin e errët. Dritë që na la legjenda Vokrri. Uroj që klubet të mendojnë mirë dhe të tregojnë kujdes se kujt do t’ia japin përkrahjen për të udhëheq. T’i japin fund kohës së matrapazëve, injorantëve, servilëve dhe njerëzve jokredibil me të kaluar e të tashme të dyshimtë”, potencoi pos tjerash Ahmeti.

Situata rreth FFK-së është komplikuar shumë. Në vitin 2016, në përputhje me ciklin olimpik, ishte mbajtur Kuvendi i Rregullt Zgjedhor në FFK. Në atë Kuvend ishte zgjedhur Komiteti Ekzekutiv për mandat katërvjeçar bashkë me presidentin Fadil Vokrri. I ndjeri Vokrri ndërroi jetë në vitin 2018 dhe nuk e priti përfundimin e mandatit në vitin 2020. Me atë rast, pas vdekjes së Vokrrit, në verën e vitit 2018, ishte mbajtur një Kuvend i Jashtëzakonshëm Zgjedhor, ku Agim Ademi ishte zgjedhur kryetar. Ndërsa, nuk pati zgjedhje për Komitet Ekzekutiv, i cili në vitin 2016 kishte marrë mandat katërvjeçar. Në fillim të vitit 2020 Komitetit Ekzekutiv i skadoi mandati dhe u zgjodh Komiteti Ekzekutiv i ri për mandat deri në vitin 2024. Mirëpo, nuk pati zgjedhje për kryetar. FFK insiston se në vitin 2018 Agim Ademi ka marrë mandat katërvjeçar. Ndërsa, një grup goxha i madh opozitar edhe sot insiston se Ademi e ka marrë mandatin e lënë në gjysmë nga i ndjeri Vokrri dhe në janar të këtij viti qe dashtë FFK t’u nënshtrohet zgjedhjeve të reja të rregullta. Kështu, sipas FFK-së, mandati i Ademit skadon në vitin 2022, kurse i Komitetit Ekzekutiv në vitin 2024.

Mirëpo, ndryshe po vlerëson Ministria e Sportit. Ky dikaster qeveritar thotë se pa asnjë përjashtim, të gjitha federatat sportive, duhet të mbajnë zgjedhje të rregullta më së largu deri më 28 shkurt, konform qarkores së lëshuar nga kjo ministri.

“Kjo qarkore me udhëzime e MKRS-së, vlen për të gjithë, pa asnjë përjashtim. Kushdo që nuk u përmbahet këtyre udhëzimeve nuk do të licencohet për ciklin olimpik 2021-2024 dhe nuk do t’u ndahen mjetet. Kjo nuk ka asgjë kundër askujt e as nuk bëhet për interes të dikujt. Thjeshtë, ka të bëjë me respektim të ligjeve, akteve normative dhe vendosjes së rendit dhe rregullit në sport”, ka deklaruar për Gazetën Express, sekretari i MKRS-së, Ibër Alaj.

Nëse FFK nuk i mban zgjedhjet, apo cilado federatë tjetër që nuk e respekton këtë udhëzim të Ministrisë së Sportit, nuk do të ketë licencim e as subvencionim nga shteti. Brenda një viti FFK nga Ministria e Sportit i merr rreth 270 mijë euro. Për një cikël olimpik i bie afro 1 milion euro, të cilat FFK mund të mos i marrë në rast se nuk e respekton udhëzimin. 1 milion euro mund të jenë pak për FFK-në, e cila merr miliona nga UEFA e FIFA, por për klubet e futbollit të goditura nga kriza ekonomike janë shumë. Po ashtu, nuk do të marrë licencë për një cikël të tërë olimpik dhe do të ndalen investimet kapitale në futbollin kosovar. Rreth 70 për qind të investimeve kapitale të Ministrisë së Sportit shkojnë zakonisht në futboll.