VV i del në krahë Rexhep Selimit: Rexha me shokë do dëshmojnë luftën e drejtë të UÇK-së

Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, në fillim të seancës ka marrë fjalën për t’u deklaruar në foltore në vend të shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Nagavci tha disa fjalë për deputetin Selimi, i cili gjendet në Hagë pasi akuzohet për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-99, shkruan IndeksOnline.
Nënkryetarja e Kuvendit tha se Lëvizja çdoherë ka qenë e bindur se UÇK-ja ishte dhe mbetet përpjekje e drejtë për çilirim, luftë e pastër.
“Shefi i grupit i parlamentar i LVV akuzohet nga një Gjykatë që i dha mandat ky Kuvend. Po flas në emër të kolegut tonë që na përfaqëson si Lëvizje, Rexhep Selimit, deputet i katër legjislaturave të Kuvendit, luftëtarit të UÇK-së.
Ne si Lëvizje edhe atëherë edhe sot jemi të bindur se UÇK-ja ishte dhe mbetet përpjekje e drejtë për çilirim, luftë e pastër. Ushtarët tanë kishin qëllime fisnike dhe ishin të prira nga ideale të larta.
Me ndihmën e shteteve mike luftuam edhe në krijimin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Por sot, shefi i grupit parlamentar të LVV në vend që të na u drejtohej nga ky Kuvend ai u drejtua nga Gjykata Speciale.
E rëndë ishte data e 5 nëntorit dhe pamjet që pamë. Ne besojmë se lufta e drejtë për liri, nuk mund të njolloset dhe do të dëshmohet bindshëm nga z.Selimi me shokë.
Dalfshi faqebardhë edhe nga ky proces”, tha ajo.
Deputetit nga LVV, Artan Abrashi, për Selimin tha se ai së bashkë me gardianët e tjerë mbrojtën popullsinë civile pa dallim.
“A është krim krim lufte lufta e drejtë që është bërë për çlirimin e vendit, a është krim lufte mbrojtja e popullsisë civile, a është krim lufte të mbrohet pragu i shtëpisë, lufta e drejtë e UÇK-së nuk mund të njolloset. Rexha me shokë do të jetë zëri i pashtërrshëm i drejtësisë dhe pastërtisë së luftës së drejtë e UÇK-së”, tha ai./IndeksOnline/