Përplasje verbale e fizike, mungesë kuorumi e mos miratim i ligjeve- Ky është Kuvendi i Kosovës

Të enjten që lamë pas deputetët e Kuvendit të Kosovës diskutuan për personat e pagjetur si një ndër plagët më të rënda që bartë edhe pas 20 vjetësh nga përfundimi i luftës, shoqëria kosovare. E pikërisht kjo temë nxiti reagime e degradim të debatit, i cili kaloi thuajse edhe në përplasje fizike midis deputetëve të LVV-së dhe LDK-së.
Në lidhje me këtë situatë për IndeksOnlinen ka folur hulumtuesi nga KDI-ja, Eugen Cakolli, i cili ka thënë se nuk është hera e parë që ballafaqohemi me situata të tilla. Madje sipas tij ato tashmë janë bërë të zakonshme.
“Gjatë interpelancës të së enjtes lidhur me personat e pagjetur, si një prej temave më të ndjeshme për Kosovën dhe qytetarët e saj, kemi parë edhe një herë një degardim të përplasjeve politike midis partive parlamentare, deri në sulme verbale e fërkime fizike. Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që ballafaqohemi me situata të tilla, madje vlerësoj se këto përplasje, sjellje jo parlamentare janë kthyer në zhvillim të zakonshëm për Kuvendin e Kosovës, sidomos pas ndryshimit formimit të qeverisë së Hotit që si duket ka polarizuar edhe më shumë spektrin tonë politik”, tha Cakolli për IndeksOnlinen.
Mirëpo jo vetëm kjo ka ndikuar në polarizimin kaq të madh të Kuvendit të Kosovës. Siç ka thënë Cakolli në një situatë të tillë kemi ardhur edhe nga mungesa e menaxhimit të duhur nga kryesuesit e seancave.
“Besoj se situata të tilla kemi edhe për shkak të menaxhimit jo në nivelin e duhur të seancave nga kryesuesit e tyre, meqë nuk janë duke u vënë në funksion dispozitat sanksionuese – deri në përjashtimin e nga seanca – të deputetëve që përdorin gjuhë dhe sjellje jo parlamentare, siç parashihet me Rregulloren e punës së Kuvendit”, tha ai për IndeksOnline.
Ndërsa janë përplasjet dhe mostejkalimi i inateve midis partive politike, që çdo seancë po e shoqëron me mungesë të kuorumit, që nga qershori i këtij viti, duke pamundësuar kështu edhe votimin e projektligjeve të ndryshe./IndeksOnline/