Haradinaj: Vdekja e Robert Elsie humbje e madhe për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se vdekja e Robert Elsie është humbje për albanologjinë dhe historiografinë, dhe për Kosovën në veçanti.
“Elsie ishte albanologu më prodhimtar, autor i dhjeta librave nga fusha e albanologjisë si dhe kritik e përkthyes në anglisht i letrave shqipe. Po ashtu, ai do të mbahet mend si përkthyes në anglisht i poemës së Gjergj Fishtës, ‘Lahuta e Malësisë’”, shkruan Haradinaj në Facebook.
“Elsie kishte përpiluar edhe fjalorë të shqipes si dhe ishte autor i një historie të përgjithshme të Shqipërisë dhe të Kosovës”, thuhet më tej në postimin e tij.
“Vdekja e tij është humbje e madhe për familjen dhe miqtë, por njëherësh edhe për albanologjinë dhe historiografinë, për shqiptarët përgjithësisht dhe Kosovën në veçanti”, përfundon Haradinaj./AktivPress