Haziri: 3 qytetarë të Gjilanit vdiqën nga Covid brenda 48 orëve, asnjë pacient s’ka mbet pa oksigjen

Nën udhëhehqjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur mbledhja e vlerësimit ditor të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVIDIt-19, në të cilin janë të përfshira institucionet relevante komunale e rajonale.
“Fatkeqësisht, 3 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19 brenda 48- orëve. Ky është alarm i madh për të gjithë për kujdes të shtuar. Virusi nuk bartet ndryshe pos në kontakte të drejtpërdrejta. Distancohuni nga ndejat e pas darkës, mbajini maskat, distancën dhe higjienën”, ka thënë Haziri, në një konferencë shtypi pas takimit.
Haziri ka theksuar se ka pasur vështirësi me furnizim të oksigjenit, por nuk ka ndodhur asnjë rast që të mbetet një pacient pa oksigjen.
“Shpresoj se furnizimi i vazhdueshëm me oksigjen në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit të përmirësohet në ditët ne vijim”, ka thënë Haziri.
Haziri njoftoi se Komuna e Gjilanit është e vetmja që kryen shërbime shëndetësore në shtëpitë e pacientëve të prekur me COVID-19, ku vetëm dje janë bërë 60 kontrolle.
Gjendja e përgjithshme në Gjilan është si vijon: Nga 7.151 mostra, 2.828 persona kanë rezultuar pozitivë, 2.395 janë shëruar, 85 pacientë e kanë humbur betejën me COVIDIN-19, 349 raste aktive, 53 të konfirmuar me COVID-19 janë në shtruar në spita dhe 70 mostra në pritje.