75 Mall Live Search
18:50 / E Hënë, 14 Dhjetor 2020 / Blerim

Nga nesër me kontrolle më rigoroze për zbatimin e masave antiCoVid-19 në Mitrovicë

Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, dhe anëtarët e Shtabit Emergjent të Komunës së Mitrovicës në vazhdimësi janë duke monitoruar situatën me virusin CoVid-19 në qytetin e Mitrovicës, ku gjatë ditës së sotme kanë mbajtur takim të rregullt për vlerësimin e gjendjes aktuale.

Fillimisht në këtë takim u bë e ditur se deri më tani në Mitrovicë janë gjithsej 509 raste aktive pozitive me këtë virus, dhe fatkeqësisht si pasojë e këtij virusi kanë humbur jetën disa qytetarë tanë, gjë që është konsideruar mjaft shqetësuese dhe e dhimbshme nga Shtabi Emergjent.Dhe duke marrë parasysh rritjen e numrit të shumtë të rasteve me virusin CoVid-19, dhe qëndrimi i mëtejmë në zonën e kuqe si qytet për tri javë radhazi, nënkryetari Faruk Mujka dhe anëtarët tjerë të Shtabit Emergjent kanë potencuar se në ditët në vijim do të realizohen kontrolle më të rrepta në zbatimin e masave parandaluese ndaj këtij virusi.

Me këtë rast, Inspekcioni i Komunës, Policia e Stacionit Jugor, dhe Inspektorët e AVUK-ut nga nesër paralajmërojnë për kontrolle më të shtuara në hapësira të ndryshme për përdorimin e maskës nga qytetarët, tek të gjitha lokalet afariste për respektim të distancës, si dhe nga ora 19 për respektimin e orës policore, dhe në rast se evidentohen shkelje apo mos respektim të vendimeve në fuqi çdo person do të dënohet në bazë të ligjeve në fuqi.

Gjithashtu gjatë këtij takimi u trajtua edhe çështja e ndihmës së personave që janë infektuar nga ky virus, ku përveç ndihmesës me mjete financiare në vlerë prej 50 euro, do të mbështeten edhe me pako mjekësore, në mënyrë që sado pak t’u lehtësohen shpenzimet që ata kanë pasur në këtë periudhë.

Në fund, Shtabi Emergjent kanë kërkuar nga të gjithë qytetarët të vazhdojnë me respektimin e masave mbrojtëse nga ky virus, pavarësisht asaj që janë bërë disa muaj nga shfaqja e kësaj pandemie dhe i’u ka humbur durimi, duhet të tregoheni të kujdesshëm dhe vigjilent për hir të ruajtjes së shëndetit të famijarëve dhe më të dashurve tuaj.