75 Mall Live Search
15:05 / E Martë, 22 Dhjetor 2020 / k.v

Komuna e Drenasit sërish ndihmon familjet në nevojë, ndan rreth 1 300 pako ushqimore-higjienike

Komuna e Drenasit duke qenë gjithmonë afër qytetarëve, sërish po u del atyre në ndihmë duke u shpërndarë paketa ushqimore e higjienike.

Komuna përmes komisionit të caktuar enkas për këtë çështje dhe në bashkëpunim të ngushtë me administratorët e fshatrave, gjatë ditës ka shpërndarë rreth 1.300 paketa ushqimore e higjienike për familjet që kanë adresuar kërkesë për ndihmë te administratorët.

Paketat janë shpërndarë te secila familje përmes administratorëve të vendbanimeve dhe komisionit, me qëllim që të evitohet grumbullimi i qytetarëve dhe shpërndarjes më efektive.

Një paketë përfshinë 18 artikuj ushqimorë dhe produkte higjienike, në vlerë prej afro 50 eurosh.

Listat e përfituesve të pakos janë hartuar nga administratorët e vendbanimeve, pasi që ata e dinë më së miri se cilat familje kanë nevojë për ndihmë në këtë situatë të pandemisë.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka falënderuar administratorët, komisionin dhe gjithë stafin tjetër që janë angazhuar për ndarjen e këtyre paketave, duke theksuar se gjithmonë do jetë afër qytetarëve.

Që nga muaji mars e deri tani, Komuna e Drenasit, së bashku edhe me donatorët e tjerë ka shpërndarë mbi 5 mijë paketa.