Papa Françesku kritikon personat që kanë udhëtuar jashtë vendit gjatë pandemisë

Papa Françesku ka kritikuar personat që kanë shkuar jashtë vendit për pushime për t’i shpëtuar bllokimeve anti-Covid-19. Sipas tij ata duhet të ishin më të ndërgjegjshëm, duke menduar dhe për personat e tjerë.
“Ata nuk menduan për ata që po qëndronin në shtëpi, për problemet ekonomike të shumë njerëzve që janë goditur rëndë nga bllokimi, për njerëzit e sëmurë. Ata menduan vetëm për të shkuar me pushime dhe për t’u argëtuar. Kjo më trishtoi vërtet,”-ka thënë ai.
Gjithashtu, duke folur në lutjen e përjavshme, ai ka thënë këshillë për njerëzit që të tregohen më të kujdesshëm në mënyrë që të ruajnë veten dhe të tjerët.
“Ne nuk e dimë se çfarë do të rezervojë 2021, por ajo që të gjithë ne mund të bëjmë është që të bëjmë më shumë përpjekje për t’u kujdesur për njëri-tjetrin. Ekziston tundimi për t’u kujdesur vetëm për interesat tona,”-ka thënë ai.
Vatikani pritet të nis vaksinimin e popullsisë në gjysmën e dytë të janarit. Ndërkohë, që prej fillimit të pandemisë në Vatikan janë shënuar 27 persona pozitiv, ndërsa asnjë person nuk ka ndërruar jetë.