75 Mall Live Search
14:31 / E Martë, 05 Janar 2021 / OSH

Lajm i mirë: Kosova siguron 500 000 vaksina anti COVID nga Pfizer

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se Kosova ka siguruar 500, 000 vaksina anti Covid nga “Pfizer”-i.

Zemaj ka theksuar se konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave na e kanë dhënë përfaqësuesit e “Pfizer”-it gjatë një takimi virtual të mbajtur sot me ta.

Shkrimi i tij i plotë:

Kosova siguron 500.000 vaksina antiCOVID nga “Pfizer”-i. Në kuadër të angazhimeve konkrete për sigurimin e vaksinave kundër COVIDIT-19, dëshiroj të ndaj me qytetarët informatën se kemi siguruar 500.000 vaksina kundër kësaj sëmundje nga kompania “Pfizer”.

Konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave na e kanë dhënë përfaqësuesit e “Pfizer”-it gjatë një takimi virtual të mbajtur sot me ta. Siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, MSH-ja ka qenë e angazhuar prej muajsh në shumë drejtime për sigurimin e vaksinës kundër COVIDIT-19, me qëllim të përmbushjes së obligimeve që kemi ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së shëndetit publik të tyre.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë mbesin të përkushtuara që qytetarëve tanë t’u sigurojmë mbrojtje përmes vaksinimit gjithëpërfshirës kundër Covidit-19. Krahas kësaj, Kosova do të marrë nga mekanizimi “Covax” edhe 360. 000 vaksina falas për 20 për qind të popullatës.

Vaksina do të sigurohen për të gjitha grupet e popullatës që duhet të mbulohen me vaksinim sipas projeksioneve të IKSHPK-së. Vaksina kundër COVIDIT-19, do t’u jepet falas qytetarëve të vendit tonë.