75 Mall Live Search
08:39 / E Martë, 12 Janar 2021 / OSH

Jep dorëheqje u.d. i sekretarit për Sigurinë e Atdheut në ShBA, Chad Wolf

Chad Wolf, ushtrues i detyrës së sekretarit për Sigurinë e Atdheut në Shtetet e Bashkuara, të hënën dha dorëheqje nga ky post. Dorëheqja e tij erdhi në një kohë kritike, kur vendi u përball me sulm ndaj institucioneve nga përkrahësit e presidentit në largim, Donald Trump.

Ky politikan ka ofruar ndihmë për zbatimin e disa vendimeve të Trumpit për agjendën e tij të ashpër kundër imigrimit. Përmes një letre, ai tha se kishte për qëllim të qëndronte në detyrë deri në inaugurimin e Bidenit, por se vendosi të japë dorëheqje në mesnatën mes së hënës dhe të martës.

Sipas tij, vendimin për dorëheqje e mori pjesërisht për shkak të ngjarjeve të fundit dhe vendimeve të gjykatave për shfuqizimin e politikave të Trumpit për imigrimin, duke cituar gjetjet në të cilat thuhej se ky individ ishte duke shërbyer në këtë post në mënyrë ilegale.

“Jam i pikëlluar që po e bëj këtë hap, sepse qëllimi im ishte që të shërbej në departament deri në fund të kësaj administrate”, tha Wolf, i cili ka qenë në këtë post nga nëntori i vitit 2019, por kurrë nuk është konfirmuar nga Senati.

Përmes një deklarate të publikuar më 7 janar, ai e quajti tragjik sulmin në Capital dhe i bëri thirrje Trumpit që ta dënojë fuqishëm dhunën që është kryer në emrin e tij.