Analistët që shfrytëzuan debatet televizive për debutimin në politikë, nga Muharrem Nitaj te Armend Muja

Armend Muja edhe zyrtarisht dje është bashkuar me Lëvizjen Vetëvendosje. Analisti i njohur në debatet televizive është bashkuar me partinë e Albin Kurtit, duke shtuar numrin e analistëve që bashkohen me partitë politike në Kosovë.
Një ditë më parë në Vetëvendosje ka aderuar edhe sociologu dhe analisti i njohur, Ardian Gola.
Analistët i ka “kapur” edhe PDK-ja. Faton Abdullahu dhe Ardian Kastrati janë bashkuar me PDK-në. Që të dytë ishin të angazhuar, sidomos javëve të fundit në debate televizive, për të marrë më pas rrugëtimin politik në partinë e Enver Hoxhajt.
Rrugëtimi politik i analistëve nuk është modë e ditëve të sotme. Para pesë vjetësh Muharrem Nitaj kishte aderuar në AAK, duke braktisur studiot televizive dhe profesionin e tij si gazetar.
Rrugëtimin e Nitajt e kishte ndjekur edhe Halil Matoshi. I njohur me prezencën e tij të shpesht në “Click”, Matoshi kishte aderuar, më 2017 në partinë e Ramush Haradinajt.
I zëshëm dhe energjik ishte si analist edhe Driton Selmanaj, por këtë zotësi të tij e shfrytëzoi për kalimin në politikë. Zëvëndëskryeministri në detyrë kishte aderuar në LDK në maj të vitit 2017.
Dukagjin Gorani pesë vjet më parë po ashtu kishte braktisur studiot televizive prej analisti, duke aderuar në Vetëvendosje. Më pas rrugëtimi i tij politik ndryshoi ngase ishte bashkuar me PSD-në.
Nga kjo që po shohim lirisht mund të themi se televizionet kosovare po shkon drejt një krize për analistë, ngase numri i tyre po tkurret çdo ditë e më shumë./Indeksonline/