75 Mall Live Search
19:06 / E Enjte, 21 Janar 2021 / kutia

I shënoi gol Galatasarayt, flet talenti kosovar: Një ëndërr e bërë realitet!

Pak ditë pasi që u transferua në Turqi te skuadra e Denizlispor, Tusha goditi menjëherë me gol.

Veton Tusha ka shënuar mbrëmë gol në debutim me ekipin turk në Superligën e Turqisë, madje gol ndaj klubit me histori, Galatasaray.

IndeksOnline ka kontaktuar me lojtarin, për ta pyetur se si ndihet pas golit të parë në debutim.

“Kisha dashtë me i falënderu të gjithë për përkrahjen dhe mbështetjen që ma kanë dhanë pas ndeshjes. Ka qenë një ëndërr e bërë realitet pasi e gjithë puna dhe disiplina ka filluar të më shpërblehet. Ky është vetëm fillimi dhe për synim tani për tani është shpëtimi i skuadrës sime nga rënia. Ju falënderoj nga zemra për gjithë këtë përkrahje, sidomos ata që kanë qenë gjithmonë afër meje.”

Tusha luajti 44 minuta në fitoren e Galatasarayt 6-1. Por para se të inkuadrohej në lojë, kaçanikasi tregon se çfarë i tha trajneri:

“Trajneri besoi në mua, sepse gjithmonë kam pasur intensitet të lartë të përgatitjeve. Para ndeshjes ai më tha: “Vetëm bëje më të mirën, të njohim ty. Ndërsa pas lojës të gjithë ishin të lumtur dhe mora shumë urime nga lojtarët”, shprehet lojtari kosovar.

Skuadra e Denizlispor gjendet në pozitën e fundit në tabelë me vetëm 14 pikë, por Tusha beson se ka fuqi ta shpëtoj klubin nga rënia.

“Besoj se gjithçka është e mundur.”, përfundoi 18 vjeçari.

Futbollisti i Kombëtares së Kosovës në grupmoshat e reja, vlerën në ‘Transfermarkt’ e ka 50 mijë euro./IndeksOnline/