75 Mall Live Search
12:30 / E Mërkurë, 03 Shkurt 2021 / Blerim

Marinari me ngjyrë gjen një litar në anijen amerikane, nisin hetimet për racizëm

Marina e SHBA-së po heton një rast të racizmit të dukshëm në një incident që përfshin një marinar me ngjyrë, i cili javën e kaluar gjeti një litar në raftin e tij në bordin e kryqëzorit me raketa “USS Lake Champlain”.

Shërbimi Hetues Penal i Marinës (NCIS) njoftoi se ka filluar hetimin e tij, përveç oficerëve të anijes, të cilët kanë filluar hetimin e tyre.

“NCIS-ja po heton një incident në bordin e ‘USS Lake Champlain’ ku u gjet një objekt i ngjashëm me një litar në zonën e shtretërve… Marina i merr seriozisht të gjitha pretendimet e sjelljes së keqe të marinarit dhe diskriminimin racor”, tha në një deklaratë Nicole Schwegman, një zëdhënëse e marinës së SHBA-së.

Nuk pati asnjë akuzë të paraqitur që nga dita e djeshme, raporton Anadolu Agency (AA).

NCIS-ja tha se zyrtarët e këtij shërbimi intervistuan disa anëtarë të ekuipazhit të anijes gjatë fundjavës dhe kjo çoi në një të dyshuar, i cili pretendoi se kishte lënë litarin në raftin e marinarit me ngjyrë si shaka.

Incidenti erdhi, ndërsa Marina e SHBA-së do të nxjerrë raportin e saj të shumëpritur rreth racizmit, diversitetit dhe përfshirjen që filloi vitin e kaluar midis protestave të drejtësisë racore në të gjithë SHBA-në.

Litari me lak, nyja e të cilit shtrëngohet nën ngarkesë, ishte objekti kryesor që përdorej gjatë linçimit të epokës së segregacionit në SHBA.

Objekti shpesh lihet si mesazh për të frikësuar njerëzit, ndërsa është e paligjshme të shfaqësh një litar si mënyrë kërcënuese në shtetet Virxhinia, New York dhe Connecticut.