75 Mall Live Search
15:07 / E Hënë, 16 Tetor 2017 / indeksADMonline

Arrestohet Milaim Zeka

Deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, gjë të cilën e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Prokurorisë së Kosovës.

Zeka u ndalua si i dyshuar për veprën penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, vepër kjo nga e cila dyshohet se Zeka ka qenë i implikuar në grupin e organizuar në mashtrimin e qytetarëve që kanë aplikuar për viza pune në Gjermani.

“M.Z është ndaluar për 48 orë për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 paragrafi 1 lidhur me veprat penale mashtrimi nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-se, dhe shmangia nga tatimi nga neni 313 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 te KPRK-se”, ka thënë për Express, Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Arrestimi i ish-gazetarit është bërë nga Njësiti i krimeve ekonomike i Policisë së Kosovës, të hënën, gjatë mesditës.

Arrestimi i Zekës ka ndodhur pak ditë pasi portali ‘Insajderi’ ka publikuar hulumtimin për këtë skandal me viza, në të cilin dyshohet se Zeka ka qenë i implikuar, duke krijuar një biznes të tillë bashkë me partnerin e tij biznesmen Ilir Kransiqi./Express