Pas eliminimit nga Kupa, Sokoli i premton tifozëve ‘angazhim maksimal për rezultate pozitive’

Gjilani u eliminua nga Kupa e Kosovës pasi humbi nga Istogu 2-0 në 1/8-tën e finales.
Trajneri i Gjilanit, Bylbyl Sokoli theksoi se dy gabime të ekipit i kushtuan me eliminim.
“Unë mendoj që ne të gjitha masat i kemi marrë që të fitojmë ndeshjen. Por mendoj se dy gabime, dy kundërsulme na kushtuan shumë në këtë takim. Problemi kryesor për neve ishte fusha e papërshtatshme për një lojë që si favorit është dashtë me sulmu kundërshtarin. Këto na kushtuan shtrenjtë dhe u eliminuam. Mendoj se futbollistët janë angazhuar të gjithë maksimalisht por ishte shumë vështirë në ato rrethana”
“Ndonjëherë në Kupë ndodhin këto humbje, por mendoj se duhet me ditë si me dal prej kësaj situate sepse ekipi humbë edhe vetbesimin. Tash duhet me vazhdu në kampionat të mobilizum, kjo është me rëndësi për ne tash për tash. Është zhgënjyse kjo, por sido që të jetë duhet me vazhdu më tutje” deklaroi Sokoli për Indeksonline.
Reagimet e tifozëve të Gjilanit ishin të ndryshme në rrjete sociale, duke shprehur zhgënjim e mllef pas humbjes.
Sokoli i garantojë tifozëve përkushtim maksimal që të arrihen rezultate pozitive në Superligë.
“Unë mendoj që angazhimi dhe puna nuk ka munguar. Të gjithë kemi me dhanë maksimumin për me pas rezultate pozitive. Këto janë obligimet tona që rrjedhin nga punët e përditshme. Unë garantoj që të gjithë po japin maksimumin dhe po punojmë që të jemi ekip cilësor” përfundoi Sokoli.