Krasniqi: Jam optimist që ky vit është i Prishtinës

Prishtina e ka hapur mirë sezonin pranveror të futbollit. Skuadra nga kryeqyteti ka shënuar 3 fitore në 3 ndeshje, duke fituar edhe Supekupën e Kosovës gjatë këtij procesi.
Megjithatë synimi kryesor i ‘bardhekaltërve’ është titulli i kampionit, që i mungon Prishtinës që nga viti 2013.
Mbrojtësi Besnik Krasniqi mendon që ky vit do të jetë i Prishtinës.
“Diferenca 9 pikë me Dritën është pak e lartë por jo e paarritshme. Ne do të japim maksimumin tonë për të arritur sukses. Jam shumë optimist dhe e kam një bindje që ky vit mund të jetë i yni” deklaroi Krasniqi për Indeksonline.
31 vjeçari ka qenë pjesë e Prishtinës herën e fundit kur ishin shpallur kampion.
Ai thotë se nuk do të ishte dështim edhe nëse këtë vit nuk arrijnë ta fitojnë titullin, për disa arsye.
“Nuk mendoj që është dështim sepse ka pas shumë largime, poashtu ardhje të reja. Kemi bërë kombinim të shpejtë. Nuk duhet assesi të dëshpërohemi por të japim maksimumin. Me këtë skuadër që kemi besoj që këtë vit ose eventualisht vitin tjetër gjithsesi do të bëhemi kampion” përfundoi Krasniqi.
/Indeksonline/