75 Mall Live Search
22:12 / E Premte, 19 Shkurt 2021 / kutia

Nuhiu paralajmëron Trepçën’89: Jemi të vëmendshëm ndaj çdo kundërshtari!

Nesër me fillim nga ora 13:00 do të zhvillohet takimin ndërmjet Dritës dhe Trepçës’89, duel ky në kuadër të rundit të 20’të në Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadra e Dritës po vazhdon të tregojë paraqitjet të larta këtë sezon, ku aktualisht ndodhet në vendin e parë në tabelë me 44 pikë të grumbulluara, tre pikë më shumë se Ballkani që ka 41, shkruan IndeksOnline

Pra, skuadra nga Gjilani i pret ‘minatorët’ në Stadiumin e Qytetit për të luftuar për tri pikë të reja.

E para kësaj ndeshje të rëndësishme, IndeksOnline ka biseduar me trajnerin, Ardian Nuhiu i cili tha se Trepça’89 ka skuadër të mirë, por që do të bëjnë më të mirën për t’iu përgjigjur atyre.

“Trepça’89 është një skuadër e mirë, e ka dëshmuar se din të jetë e papërshtatshme, por për çdo kundërshtar duhet të jemi të vëmendshëm dhe të bëjmë maksimumin në ndeshje”, tha fillimisht Nuhiu.

“Çdo futbollist i yni është i rëndësishëm për skuadrën tonë në varësi të kundërshtarit, gjithmonë bëjmë përzgjedhje për t’ju kundërpërgjigjur skuadrës kundërshtare”.

Por, i pyetur se a e ndjen ai frikën e Ballkanit që aktualisht dallimi mes tyre është vetëm tre pikë, tekniku Nuhiu tha se ata po përqendrohen vetëm te skuadra e tyre.

“Përqendrohemi me tepër tek skuadra jonë dhe kundërshtari i radhës, do të mundohemi gjithmonë të marrin më të mirën”, tha ai.

Kujtojmë se Drita takimin e kaluar ndaj Llapit e fitoi me rezultatin minimal në 1:0./IndeksOnline/