75 Mall Live Search
14:41 / E Hënë, 22 Shkurt 2021 / k.v

Grabitja e taksistit/ Një muaj paraburgim të dyshuarit në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit V.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: “Grabitje” nga neni 317 par. 1 të të KPRK-së.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit V.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

Më 29 janar i pandehuri V.K., me një të mitur marrin një taksi të tipit pronë e të dëmtuarit N.H., ku pranë karriges së shoferit është ulur i pandehuri V.K., ndërsa mbrapa ka qenë i ulur i miturit A.Q., dhe nga shoferi i taxisë – i dëmtuari kërkojnë që t’i dërgonte deri në fshatin Shirokë dhe me të arritur në fshat i pandehuri V.K., nxjerr thikën ia vendos në gjoks të dëmtuarit dhe i thotë që të vazhdonte për në fshatin Mushtisht dhe me të arritur në afërsi, i pandehuri V.K., e urdhëron të ktheheshin majtas dhe të shkonin në një arë të këtij fshati dhe me thikë e shpon në gjoks të dëmtuarin N.H., e pastaj me dhunë ia merr 82 euro dhe dy telefona personal me sim- kartela dhe së bashku me të miturin ikin në drejtim të panjohur, ndërsa të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime trupore.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtarja e procedurës – Raima Elezi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe atij i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 18.02.2021 deri më 17.03.2021.
Gjykata, konsideron se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, meqenëse i pandehuri V.K., nga dita kritike e deri në arrestimin e tij nga organet e ndjekjes i pandehuri ka qenë në arrati, andaj këto rrethana shtojnë dyshimin se i pandehuri mund të fshihet apo arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, me çka do të pamundësojë zhvillimin e rregullt të kësaj procedure penale hetimore.