Trajneri i Ponte Prizrenit: Trepça nuk është kundërshtar i lehtë!

Nesër me fillim nga ora 19:00 do të zhvillohet takimi ndërmjet KB Trepçës dhe Ponte Prizrenit në Superligën e Kosovës në Basketboll.
Ponte, kërkon të luftojë drejt kreut të tabelës, pasi aktualisht ndodhet në vendin e dytë, ku ka grumbulluar 32 pikë nga 19 ndeshje të zhvilluara, shkruan IndeksOnline
Për të njohur më shumë se si do të shkojë kjo ndeshje dhe se cila është ideja e Pontes që të jetë në vendin e parë, IndeksOnline ka biseduar me trajnerin e Ponte Prizrenit, Arbnor Rifatin.
Tekniku tha se ndeshja ndaj Trepçës nuk do të jetë e lehtë, pasi dihet përvoja e ‘xehetarëve’.
“Çdo herë kur luajmë me Trepçën, nuk ka se si të thuhet është një ndeshje e lehtë, kur e dimë traditën e xehetarëve, por edhe pse jemi favorit në letër, nuk duhet ta marrim si asgjë këtë ndeshje, kundërshtarin e shohim si skuadër konkurrente për Play-Off”, tha fillimisht Rifati.
Ai gjithashtu tregoi edhe se sa e rëndësishme është ndeshja e nesërme.
“Ne tani jemi në fazën e parë të paly-offit dhe çdo fitore ka peshën e vet, çdo ndeshje është finale para finales, ne asnjëherë nuk hyjmë në ndeshje me presion, ta shohim”, u shpreh tekniku i Pontes.