Kujtim Shala: LDK do të hapë një etapë të re të vetën dhe për Kosovën

Kujtim Shala, emri më i përfolur për të marrë drejtimin e LDK-së, njëherit i dyti më i votuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka falënderuar përkrahësit dhe votuesit që e kanë zgjedhur LDK-në, kur kanë shkuar tek kutitë e votimit.
Shala ka paralajmëruar se LDK’ja do të hapë një etapë të re të vetën dhe për Kosovën.
“Të dashur qëndrestarë të LDK-së! Ju falënderoj nga zemra për përkrahjen që i keni dhënë LDK-së, lëvizjes shqiptare të Kosovës, themelueses dhe garantueses së shtetit tonë! Falënderoj të gjithë ata qytetarë që kanë zgjedhur të më votojnë mua si kandidat të LDK-së dhe edhe një herë më kanë dhënë besimin që t’i përfaqësojë në Kuvendin e Kosovës! Besimi i përsëritur është nderi më i madh. LDK-ja do të hapë një faqe të re te veten dhe të Kosovës. LDK-ja është partia e rrënjëve të Kosovës. LDK-ja nuk është vetëm një alternativë politike, por shenja thelbësore e shtetit tonë”, ka shkruar Shala.
Ky është reagimi i parë i Kujtim Shalës pas disfatës që partia e tij ka pësuar në zgjedhjet e 14 shkurtit. Shala është renditur i dyti në listë pas Avdullah Hotit i pasuar nga Lumir Abidxhiku.
Emri i tij është përfolur edhe për të marrë kreun e LDK’së, megjithatë ende asgjë nuk është e konfirmuar.