Çka i shpëtoi Policisë te aksioni i “Las Vegasit” të Kosovës?

Më 18 shtator 2020, Policia e Kosovës kreu një aksion të suksesshëm në Karaçevë të Kamenicës, të njohur ndryshe si “Las Vegasi” i Kosovës, kundër veprimtarive ilegale, shkruan Indeksonline.
Për këtë rast Indeksonline ka raportuar ekskluzivisht, ku pati të arrestuar, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë policorë, madje u rrënuan edhe disa objekte.
Tashmë ka dyshime se prapë në atë vend po zhvillohen këto veprimtari të paligjshme, si lojëra të fatit dhe prostitucion.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati për Indeksonline tha se informatat e qytetarëve lidhur me këto dyshime ia ka përcjellë organeve të rendit.
“I kemi informatat e qytetarëve se dyshohet se aty po zhvillohen veprimtari të paligjshme. Ne këto informata ia kemi përcjellë organeve të rendit. Tash është çështje e tyre se si veprojnë”.

Por duket se diçka i shpëtoi Policisë në atë aksion të madh, gjë që la vend për “ringjallje” të këtyre veprimtarive.
Kastrati tha se në Karaçevë është një objekt i cili nuk u rrënu gjatë atij aksioni dhe dyshimet janë se aty po zhvillohen veprimtari ilegale.
“Është një objekt që nuk u rrënu atëherë, që ka qenë me leje, e ka ndërtu para luftes. Në atë objekt ka dyshime që ka veprimtare ilegale”.
Madje, së fundi në atë vend ka ndërhyrë edhe Inspektorati i Komunës.
“Aty ka fillu një objekt me u ndërtu edhe ka shku Inspeksioni edhe i ka ba proces verbal. Pala e ka deklaru që është tu e ba ni fermë edhe e ka urdhëru Inspektorati me i ndalë punimet, me u pajisë me leje, ndërkohë ka apliku për leje e tash nuk e di në çfarë faze është”./Indeksonline/
