75 Mall Live Search
11:35 / E Shtunë, 13 Mars 2021 / Blerim

Besian Mustafa: Nesër kundër kandidat e pas zgjedhjes së kryetarit miq, bashkëpartiak e kolegë

Kandidati për kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa një ditë para se të mbahet Kuvendi i LDK-së për kryetar të saj ka reaguar duke thënë se pas zgjedhjes së kryetarit të kësaj partie, ai me tre kundër kandidatët e tij do të jenë sërish miq, bashkë partiak dhe kolegë.

Mustafa përmes rrjetit social në Facebook kundër kandidatët për kryetar të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri dhe Anton Quni  i quajti “fund e krye LDK”.

Mustafa po ashtu tha se bashkë me kundër kandidatët për kryetar të LDK-së janë përfolur aq shumë në media, sa që siç tha ai janë munduar që t’i bëjnë pjesë të grupeve e skemave imagjinare.

Ky është postimi i tij i plotë:

“Unë, Lumiri, Lutfiu, Antoni, etj. jemi LDK, fund e krye! Nesër në mëngjes jemi kundërkandidat në garën më demokratike në politikën kosovare. Nesër në mbrëmje jemi miq, bashkëpartiak dhe kolegë të rreshtuar pas kryetarit të ri. Që nga dita e parë e LDK-së, 23.12.1989, na ka udhëhequr uniteti, solidariteti, dialogu, vizioni!

Ashtu siç pritej, në medie u fol shumë, u munduan të na bëjnë pjesë të grupeve e skemave imagjinare. Por, ne ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë të bashkuar rreth LDK-së!

Heshtja që po mbizotëron ende brenda LDK-së duhet thyer shpejtë, shumë shpejtë. Ja kemi borxh të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë brezave të saj.

Po ndaj me ju disa rreshta të babit tim, shkruar më 27.02.1989, pak muaj para se të themelonte LDK-në, mbi heshtjen e atëhershme rreth grevës së minatorëve:

“Intelegjencia krijuese e vendit, pjesa dërrmuese e intelektualëve që betohen shpesh në humanizëm, në demokraci dhe në lirinë e shpirtit e të mendjes, këto ditë ranë në një provim të rëndë moral, që për intelektualët dhe inteligjencien e njëmendët, s’ka dyshim, është rënia dhe pësimi më i rëndë. Po bëhen shtatë ditë të tëra që kur minatorët e Trepçës gjendjen në galeritë e thella e të ftohta të nëntokës, kurse pjesa dërrmuese e inteligjencis së vendit hesht, rri dhe bën sehir me një dramë të paparë njerëzore, me një tragjedi…

Indiferenca dhe turpi, sprova dhe katandisja morale mund të jetë e pafund, veçmas kur inteligjencia kalkulon me qëndrime, disponime dhe me strategji të ndryshme pragmatike e politikaniste…

Me dramën e minatorëve njeriu duhet të solidarizohet, kurse drama, katandisja morale dhe heshtja e inteligjencias së vendit njëmend është për ngushëllim”./IndeksOnline