75 Mall Live Search
14:34 / E Premte, 10 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Delegatët e 2 korrikut i gëzohen vendimit të Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka ndarë 300 mijë euro për 111 delegatë të legjislaturës së vitit 1990. Ky kompensim do të ndodh brenda këtij viti.

E këtij vendimi i janë gëzuar delegatët, ku këto mjete financiare do të ju ndihmojë atyre që të zbusin gjendjen financiare.

Delegati i 2 korrikut 1990, Muharrem Shabani për Indeksonline është shprehur mirënjohës për vendimin e qeverisë, ku ata me në fund pas luftës do të kompensohen për punën e tyre.

“Lajm shumë i mirë. U jemi mirënjohës unë dhe kolegët e mi. Shuma e ndarë do të ju ndihmojë të zbusin sado pak gjendjen financiare. Disa prej delegatëve nuk jetojnë. Megjithatë është mirë që ky ligj është miratuar dhe se kjo do të shërbejë edhe për legjislaturat e tjera të ardhshme. Dora shtetit pra po ndihmon të gjithë”, është shprehur Shabani.

Ai ka shtuar se shumica prej delegatëve që jetojnë sot janë invalid apo nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe se së mjetet e ndara do të jenë ndihmesë për ta.

“Kjo do të ju ndihmojë pasi shumica prej tyre janë invalid, nuk janë gjendje të mirë shëndetësore. Është një ndihmesë që të mund të ndikoj në gjendjen e tyre financiare. Është pra një vendim i mirë, është edhe një obligim moral dhe ne i falënderojmë dhe jemi mirënjohës Qeverisë për këtë vendim”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar propozim vendimin për kompensimin financiar për delegatët e legjislaturës së vitit 1990.

“Mjetet e financiare për realizimin e këtij vendimi, janë të përcaktuara në ligjin e buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2017, në vlerë prej 300 mijë euro. Objektivi kryesor i këtij propozim vendimi është që delegatëve të legjislaturës së 1990, t’u ndahet kompensimi financiar i njëhershëm për vitin 2017. Sipas këtij propozim vendimi të drejtën për kompensim financiar të njëhershëm do ta gëzojnë 111 delegatë”, ka thënë Ministri i Punës Skënder Reçiça.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj tha se ky ka qenë një obligim moral dhe se po e përmbushin një të drejtë të mohuar gjatë./Indeksonline/