75 Mall Live Search
10:45 / E Hënë, 29 Mars 2021 / AR

Edi Rama shkon te familja e Arjan Salës

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në familjen e 32-vjeçarit, Arjan Sala, që humbi jetën midis flakëve në magazinën e veshjeve pranë një qendre tregtare.

Rama ka zhvilluar një vizitë ngushëllimi në familjen e të ndjerit, dy ditë pasi Qeveria vendosi ta shpallë “Dëshmor të Atdheut” të riun, i cili dha jetën pasi shpëtoi punonjësit e tjerë dhe u fut midis flakëve për të kontrolluar nëse kishte të tjerë të bllokuar brenda ambientit që u përfshi nga zjarri. Trupi i pajetë i të riut u nxor pas rreth 60 orësh kërkime, mëngjesin e së shtunës.

Megjithatë komentuesit e shumtë në median sociale janë të revoltuar me kryeministrin.

Sipas tyre, ai i la pa mjete zjarrfikësit, të cilët shkuan për të shuar zjarrin që zgjati thuajse tri ditë.

Për ironi, forcat zjarrfikëse duhej të ishin furnizuar me pajisje dhe të trajnoheshin pas tërmetit vrastar, kur doli në pah sa i rrënuar është shërbimi i emergjencave në vend, raporton Syri.

Por u desh ky zjarr vrastar për të kuptuar se shteti nuk funksionon sërish, çka solli revoltën e opinionit publik në median sociale.

Për më tepër, disa media raportuan se zjarrfikësit nuk kanë marrë as pagat. Në intervista televizive, përballë zemërimit të familjarëve të Salës, zjarrfikësit e pranuan se nuk kishin pajisjet e duhura për të kryer punën.